Studime në Francë

Franca është vendi i 5-të në botë për pritjen e studentëve të huaj. Në krahasim me vendet joanglishtfolëse, Franca është vendi që tërheq më shumë studentë nga e gjithë bota.
Pasuria dhe larmia e arsimit të lartë francez garantojnë zgjedhjen e një formimi në përshtatje me të gjitha format e studimeve dhe nevojat.
Diplomat e arsimit të lartë francez janë të garantuara nga shteti dhe të strukturuara sipas arkitekturës së përbashkët europiane LMD (Sistemi i Bolonjës) e cila u referohet viteve apo semestreve të studimit të kryera, që me futjen në arsimin e lartë dhe përshtatjes së tyre në kreditet ECTS. Me diplomën shqiptare të maturës shtetërore mund të aplikoni direkt në sistemin francez diplomat e të cilit njihen në nivel europian.
Për t’u regjistruar në vitin e parë në universitet ose në një nga shkollat e arkitekturës, kandidatët e huaj duhet të vërtetojnë se zotërojnë minimumi nivelin B2 në frëngjisht, me anë të një testi gjuhësor (TCF-DAP ose TEF), ose me një diplomë (DELF /DALF).
Për regjistrim në vitin e 2-të dhe të 3-të Bachelor, në Master, në Doktoraturë ose në Grandes Écoles, çdo institucion është i lirë të përcaktojë kriteret e veta në lidhje me nivelin e gjuhës frënge.

Në sajë të rreth 250 zyrave Campus France në më shumë se 120 vende, Agjencia informon studentët e huaj mbi arsimin e lartë në Francë, i orienton mbi procedurat e ndryshme të aplikimit, mbi zgjedhjen e formimeve dhe dokumentacionin e nevojshëm në aplikimin për vizë.
Agjencia Campus France e përfaqësuar në Shqipëri nga zyra qendrore Campus France e Tiranës dhe degët e saj në Shkodër, Durrës, Elbasan dhe Korçë, është në shërbim të studentëve të huaj për realizimin e projektit të tyre të studimeve në Francë.